Protestë kundër ekspozitës për masakrat në Kosovë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protestë për sot në orën 13:00 para Kuvendit të Kosovës. Veteranët e konsiderojnë ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999” si të pasaktë dhe fyese.
Veteranët e kanë dënuar ekspozitën për masakrat e luftës së fundit në Kosovë, duke e konsideruar atë një përpjekje për të relativizuar krimet serbe dhe për të shtrembëruar historinë e luftës.
Gazmend Syla nga OVL UÇK-ja ka thënë se ekspozita është e mbushur me shpifje dhe e financuar me paratë e qytetarëve, duke theksuar se ajo përdhos të vërtetën e luftës dhe sakrificën e viktimave dhe dëshmorëve. Ai njoftoi gjithashtu se OVL UÇK-ja do të organizojë një protestë të hënën në orën 13:00 para Kuvendit të Kosovës.
“Përmes kësaj proteste ftojmë të gjithë qytetarët që kanë dinjitet, që e ndiejnë sakrificën dhe që nuk e pranojnë padrejtësinë, të na bashkohen. Kjo nuk është vetëm protesta jonë, por mbrojtje e historisë së luftës dhe nderim për martirët tanë”, ka thënë ai.
Kurse Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur mbështetje për protestën e thirrur për sot nga OVL UÇK-ja, si shenjë pakënaqësie ndaj përmbajtjes së ekspozitës.
Sipas komunikatës së Partisë Demokratike, kjo protestë përfaqëson një reagim të drejtë qytetar dhe kombëtar, në mbrojtje të dinjitetit të viktimave, familjeve të tyre dhe vlerave të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Çdo përpjekje për të shtrembëruar faktet, për të relativizuar krimet ose për ta rishkruar historinë konsiderohet e papranueshme dhe duhet kundërshtuar me vendosmëri.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë në mbështetje të protestës, duke u shprehur kundër çdo përpjekjeje për shtrembërimin e së vërtetës së luftës çlirimtare.