Jashari kritikon Qeverinë dhe Kuvendin: Ministra anti-UÇK dhe ekspozita që shtrembërojnë historinë
Xhavit Jashari nga OVL UÇK-ja ka thënë se po protestojnë në oborrin e institucioneve të vendit, për, siç ka thënë ai, se këto të fundit kanë degraduar pafundësisht.
“Organizatat e dala nga lufta kanë thirrur protestë pikërisht në oborrin e institucioneve të Kosovës, të cilat institucione kanë degraduar pafundësisht. E them këtë sepse qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri i saj bënte krokofatje të pandalshme me plot gojën për bashkimin kombëtar, mbante në xhaketë simbolin dhe flamurin kombëtar, kurse në anën tjetër kishte për këshilltar një person i cili vazhdimisht synonte dhe bënte përpjekje të degradojë luftën e pastër dhe të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ky person është me emrin Shkëlzen Gashi”, ka thënë Jashari.
Sipas tij, brenda Qeverisë ka ministra që janë anti-UÇK.
“Degradimi kaq i rëndë dhe i paskajshëm i kësaj qeverie është sepse brenda kësaj qeverie ka ministra të cilët janë anti-UÇK. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Hekuran Murati, i cili publikisht ka deklaruar se më mirë dhe më lirë do të na kushtonte liria e këtij vendi po t’i kishim paguar mercenarët, që është fyerje e rëndë për veteranët”, ka shtuar ai.
Protesta e veteranëve po mbahet për të kundërshtuar ekspozitën që u vendos në sheshet e Prishtinës e që pasqyroi me pasaktësi masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë.











