Shembja e rrugës, Rama njofton se të gjitha vendpunishtet në kryeqytet do të mbyllen
Pasditen e së dielës një pjesë e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet u shemb, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili ka njoftuar se nga gjendja aktuale dhe me qëllim të rritjes së sigurisë publike do të mbyllen të gjitha vendpunishtet në kryeqytet, shkruan Zeri.info.
Po ashtu u bë e ditur se është krijuar edhe Komisioni për Vlerësimin Emergjent të të gjitha vendpunishteve në kryeqytet, i cili përbëhet nga ekspertë të fushës së urbanizmit, inxhinierë të licencuar, përfaqësues të emergjencave.
Kreu i Prishtinës theksoi se pas pranimit të raportit, të gjitha vendpunishtet ku evidentohen shkelje të rënda të sigurisë do të mbyllen menjëherë.
“Vendpunishtet do t’i nënshtrohen një analize të detajuar institucionale, e cila mund të rezultojë deri në revokim të lejes së ndërtimit.
Çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar çfarëdo parregullsie në terren do të mbahet përgjegjës.
Ftoj të gjitha subjektet ndërtimore që të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet dhe të respektojnë ligjin”, thuhet në njoftim. /Zëri