QPS-ja në Lipjan s’i lejon familjarët ta vizitojnë fëmijën 5-vjeçar në QKUK
“Ju jeni palë e tretë, për këtë punë mos më hajdeni më”, kështu pretendohet se u ka thënë menaxherja e rastit në Qendrën për Punë Sociale në Lipjan, Hyrije Qerkini, familjarëve të pesëvjeçarit nga Lipjani, të cilët kërkuan leje për t’i shkuar në vizitë.
Halla dhe gruaja e axhës së fëmijës pesëvjeçar nga Lipjani, i cili aktualisht po trajtohet në QKUK, pas keqtrajtimit që pati nga prindërit në dy shputat e këmbëve, kanë kërkuar nga QPS që t’u lejohet ta vizitojnë atë, madje edhe t’u lejohet që ta mbajnë e kujdesen në shtëpi të hallës, pas trajtimit në QKUK, por sipas tyre, Menaxherja e rastit dhe drejtoresha e QPS-së nuk u kanë dhënë leje.
“Na thanë mos hajdeni më për këtë punë, sepse s’mund ta vizitoni”, ka deklaruar halla.
“Unë desha veç me pa qysh është djali, ato nuk po më lejojnë. Qysh mos me më leju mu, që unë vet e kam dërgu te mjeku e në QKUK?”, pyet e shqetësuar halla.
Makfirete Shamolli, drejtore e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, ka thënë për Klan Kosovën se me fëmijën pesëvjeçar është caktuar të merret një kujdestar ligjor i QPS-së, i cili e vlerëson nëse duhet ose jo, vizitat familjare.
“Rasti është nën hetime, na jemi në proces. Edhe vendimi i gjykatës e njeh të drejtën veç të prindërve, por meqë ata nuk janë aktualisht të lirë, në këtë fazë është e pamundur. Institucionet gjegjëse nuk po dojnë me palë shqetësime fëmija. Fëmija e ka një kujdestar dhe nëse ai nuk e sheh të arsyeshme me leju vizitat, nuk e lejon. Është në tretman mjekësor fëmija, ka nevojë për një rehabilitim”, ka deklaruar Shamolli për Klan Kosovën.
Duke shtuar se “institucioni është duke e bërë më të mirën e mundshme për këtë rast”, andaj në këtë situatë nuk mund të bëjnë më shumë.
Lajmi se një fëmijë pesëvjeçar u keqtrajtua rëndë nga familjarët e tij tronditi opinionin publik më 18 mars të këtij viti.
Ngjarja ndodhi në fshatin Janjevë, në komunën e Lipjanit, aty ku një histori e rëndë dyshohet se kishte ndodhur për një kohë të gjatë, pa u vënë re nga askush.
Fëmija u dërgua për trajtim mjekësor nga xhaxhai dhe halla e tij dhe ajo që mjekët panë ishte alarmante.
Pesëvjeçari nuk i kishte fare gishtërinjtë e dy këmbëve, ndërsa në pjesë të këmbëve kishte shenja të rënda kalbjeje të mishit.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të dy prindërit e pesëvjeçarit u dërguan në paraburgim për 30 ditë, për shkak se dyshohet se të dy kanë kryer veprën penale Shkelja e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.