Historia e jashtëzakonshme e shqiptares Shasime Osmani, që u zgjodh deputete në kantonin e Bernit

Historia e jashtëzakonshme e shqiptares Shasime Osmani, që u zgjodh deputete në kantonin e Bernit

Aktuale March 30, 2026 - 22:20

Nga një vajzë e rritur në një lagje me sfida sociale në Bern, në një zë të ri në politikën zvicerane.

Shasime Osmani, shqiptarja 27-vjeçare me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, ka arritur një sukses të rëndësishëm, duke u zgjedhur deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit.

Pas vetëm një viti si asambleiste në qytetin e Bernit, ajo tashmë ka bërë hapin e radhës në politikë.

“Para 1 viti u zgjodha asambleiste në qytetin e Bernit edhe dje pas një viti u bëra deputete në kantonin e Bernit, një shkallë më lart në atë shkallë janë shumë vendime të rëndësishme që bëhen brenda janë krejt punët e arsimit, migracionit krejt punët e shëndetësisë, kështu është një pozitë e rëndësishme sepse vendimet që merren aty brenda janë të rëndësishme”, ka thënë Osmani.

Me mijëra vota në zgjedhjet e fundit, Osmani tregon që pati një mbështetje të madhe nga partia por edhe nga komuniteti shqiptar në Bern.

“Unë morra 9461 vota, partia ime mori vota më shumë prej krejt partive në qytetin e Bernit edhe me këtë numërim të votave kishim të drejtë me shtu një vend në parlament në qeveri, edhe në qeveri i morem tri vende. Edhe vendin që e kemi shtuar e mora unë”, ka thënë tutje Osmani.

Vetë Osmani, thotë nuk e priti një sukses të tillë, kaq herët në karrierë.

Historia e saj nis nga një familje migrante, që prej dekadash jeton dhe punon në Zvicër.

“Familja ime është nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut nga një katund shumë i fshehtë, gjyshi im në vitin 1979 ka ardh me punu edhe ka nejt këtu edhe më 1993 ka ardh babi me punu me mamin tim në vitin 1999 kemi ardh ne të tjerët, unë jam e lindur në vitin 98, këshu që unë jam gjenerata e tretë, unë jam e lindur në Ohër edhe këtu jemi shpërngul që nga 1979. Këtu janë krejt migrantët, njerëzit me rrogë të dobëta”, theksoj Osmani.

Shasime Osmani thotë se vendlindjen nuk e harron asnjëherë, përkundër që tashmë jeta e saj është e lidhur me Zvicrën.