Policia rrit prezencën, K9 në terren para ndeshjes Kosovë - Turqi
Në prag të përballjes Kosovë - Turqi, autoritetet e sigurisë kanë ndërmarrë masa të shtuara për të garantuar zhvillim sa më të mirë të këtij eventi sportiv.
Policia e Kosovës ka “blinduar” zonën përreth hotelit ku është akomoduar Kombëtarja e Turqisë, duke rritur ndjeshëm prezencën e saj në terren, duke përfshirë edhe njësitin K9.
Burime brenda policisë kanë bërë të ditur për Radio Dukagjinin se këto kontrolle janë rutinore dhe zhvillohen shpesh.
Këto masa vijnë si pjesë e planit të përgjithshëm të sigurisë për ndeshjen e shumëpritur ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, e cila zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.
Niveli i sigurisë është ngritur në maksimum, duke synuar një organizim të qetë dhe pa incidente për një nga ndeshjet më të rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës.