Bashkëpunim Kosovë – SHBA, Kurti takon komandantin shqiptaro-amerikan
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Oficerin Komandues të USS Pearl Harbor, Alban Dervishi, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për mbështetjen amerikane në forcimin e FSK-së.
Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti komandantin Alban Dervishi, oficer komandues i anijes amfibe zbarkuese USS Pearl Harbor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit, kryeministri e falënderoi oficerin komandues shqiptaro-amerikan për vizitën dhe u shpreh i lumtur për sukseset e tij në Forcat Detare të SHBA-së, duke e vlerësuar si shembull të angazhimit, përkushtimit dhe profesionalizmit.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin e ngushtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë Gardën Kombëtare të Ajovës.
Kurti u shpreh mirënjohës për mbështetjen e aleatëve amerikanë në forcimin dhe avancimin e FSK-së.
Po ashtu, ai theksoi se Kosova është e përcaktuar qartë në rrugën e saj për integrim euro-atlantik.
