AGK-ja dënon sulmet kibernetike kundër “Vox Kosova”, kërkon hetim nga Policia e Prokuroria
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmet kibernetike ndaj portalit “Vox Kosova”.
Përmes një postimi në Facebook, AGK-ja u shpreh e shqetësuar për valën e re të sulmeve kibernetike kundër portalit, ndërsa shtoi se llogaria e kësaj media në Facebook në kohët e fundit është mbyllur dy herë, llogaria në TikTok dy herë, kurse ajo në Instagram një herë.
Asociacioni ftoi Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë të zhvillojnë hetimet e nevojshme, për të gjetur dhe dënuar autorët e sulmeve.
“AGK-ja dënon fuqishëm këto sulme ndaj ‘Vox Kosova’, e që minojnë lirinë e medias dhe shprehjes në Kosovë dhe kanë për qëllim pengimin e shpërndarjes së lirë të informacionit. AGK-ja qëndron në mbështetje dhe solidaritet të plotë me ‘Vox Kosova’ dhe të tjera media që kohëve të fundit janë penguar për ta kryer punën e tyre si pasojë e këtyre sulmeve”, thuhet në reagim.