Bajrami: Kurti është fajtori kryesor nëse vendi shkon në zgjedhje
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë gatishmërie për zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas saj, Kurti synon ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Deputetja Bajrami tha se Kurti ka mundur ta zgjedhë presidentin më herët, duke arritur marrëveshje politike.
“Gjatë këtyre 8 ditëve nuk e kemi parë as tentativën më të vogël. Kjo tregon se që nga fillimi i kësaj legjislature, Kurti nuk e ka në plan të bëjë zgjedhjen e presidentit dhe nuk e ka në plan të kontribuojë në stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës. Këtë e kemi parë që në votimin shumë urgjent të buxhetit. Këta dëshirojnë ta kenë buxhetin në mënyrë që të mund të shpërndajnë taksat e qytetarëve për efekte elektorale, por faktikisht nuk e kanë në plan ta zgjedhin presidentin. Sikur të dëshironin një gjë të tillë, do ta bënin tashmë prej kohësh. Ju e dini se, pas disa takimeve që ka pasur me kryetarin e LDK-së Abdixhiku dhe atë të PDK-së Hamza, në mënyrë krejtësisht të njëanshme janë propozuar dy kandidatë nga LVV-ja, duke u munduar t’i shantazhojnë partitë opozitare, gjë të cilën nuk e kemi pranuar”, tha Bajrami, për RTV21.
Deputetja Bajrami tha se nëse kalon afati kushtetues 34-ditor për zgjedhjen e presidentit, atëherë fajtori kryesor është kryeministri Kurti për mosgatishmëri për të arritur marrëveshje politike.
“Numri i ditëve është i kufizuar dhe kjo është një çështje e komplikuar, e cila assesi nuk zgjidhet nga partitë opozitare. Nëse ne mbetemi në këtë bllokadë dhe nëse harxhohet afati kohor që na e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, secili qytetar duhet ta dijë se fajtori kryesor që përsëri po e dërgon vendin në një proces zgjedhor është zoti Kurti dhe LVV-ja”, u shpreh Bajrami.
Deputetja Bajrami tha se LDK-ja nuk do ta votojë asnjë kandidat nga LVV-ja për president.
“Nuk kemi votë për kandidatët e LVV-së për president. I patëm dy kandidatë nga LVV-ja dhe nuk ka ndodhur asgjë që ne ta ndryshojmë qëndrimin. Jemi kundër ndarjes së të gjitha pozitave. Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese”, tha ai.