Gërvalla: Lufta kundër korrupsionit është zotim i pakompromis
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se qasja e institucioneve të Kosovës në luftimin e korrupsionit është e qartë dhe pa tolerancë. Ajo theksoi se parandalimi dhe ndëshkimi i çdo forme të korrupsionit mbetet zotim i përditshëm, absolut dhe i pakompromis i Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë një vizite në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ministrja u takua me drejtorin Yll Buleshkaj dhe ekipin e tij, ku diskutuan masat për forcimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në institucionet publike.
“Çdo mekanizëm parandalues dhe çdo hap ligjor që ndërmarrim ka një qëllim të vetëm: parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe llogaridhënie për abuzuesit”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi se zbatimi i rreptë dhe i vendosur i ligjeve është çelësi për një sistem publik të fortë dhe përgjegjës.
Ndër temat e diskutuara ishte edhe mundësia e avancimit të kornizës ligjore dhe standardizimit profesional të konfliktit të interesit, si dhe thellimi i bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar në fushën e antikorrupsionit. Në këtë kuadër, ministrja veçoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në iniciativa ndërkombëtare kundër korrupsionit.
Një ndër pikat kryesore të diskutimit ishte edhe Traktati Rajonal për Shkëmbimin e të Dhënave, i cili pritet të mundësojë verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë jashtë vendit, duke rritur transparencën dhe përgjegjësinë ndërkufitare.
“Si ministre e Drejtësisë, mbetem e vendosur që lufta kundër korrupsionit të jetë e pakompromis në çdo formë të shfaqjes së tij. Qytetarët e Kosovës meritojnë institucione të forta, të besueshme dhe transparente, ku sundimi i ligjit zbatohet çdo ditë”, deklaroi Gërvalla.
Ajo shtoi se bashkëpunimi me institucionet pjesë të reformës në drejtësi dhe të luftës kundër krimit të organizuar do të vazhdojë të thellohet edhe në të ardhmen.