Largohen përkohësisht dy punëtorë të Trepçës pas dyshimeve për shkelje të detyrave të tyre
Ndërmarrja publike” Trepça” ka njoftuar se ka larguar përkohësisht nga puna dy punonjës, inicialet e të cilëve janë XH.Q. dhe I.H., për shkelje të rënda të detyrave të tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, largimi është bërë për shkak të dyshimit të bazuar se punonjësit kanë kryer shkelje të detyrave të punës.
“Më datë 01.04.2026, pas pranimit të raportit me nr. prot. 2819 të datës 01.04.2026, Kryeshefi Ekzekutiv i Trepça Sh.A., ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të dy punonjësve; XH.Q. dhe I.H. Largimi është bërë për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer shkelje të detyrave të punës, konkretisht se më datat 30.03.2026, 31.03.2026 dhe 01.04.2026 janë paraqitur në vendin e punës vetëm për qëllime evidentimi përmes sistemit elektronik të skanimit, ndërsa më pas kanë lëshuar pa autorizim objektin e flotacionit në Njësinë Biznesore “Minierat me Flotacion Trepça – Stan Tërg”, në kundërshtim me detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre të punë”, thuhet në njoftim. /Zëri