Abdixhiku emëron në pozita partiake Ilir Feratin, Sokol Halitin dhe Visar Azemin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar emërimet e tre funksionarëve të rinj në pozita kyçe partiake.
Ilir Ferati emërohet sekretar i përgjithshëm i LDK-së, duke pasur përgjegjësi për drejtimin dhe koordinimin e aparatit institucional dhe administrativ të partisë.
Sokol Haliti merr detyrën e sekretarit për Mërgatë, me fokus forcimin e lidhjes së partisë me diasporën dhe përfshirjen e saj në jetën politike dhe zhvillimore të vendit.
Visar Azemi emërohet sekretar organizativ, me detyrë koordinimin e strukturave të partisë dhe përmirësimin e funksionimit të saj në të gjitha nivelet.
Abdixhiku ka falënderuar gjithashtu Imri Ahmetin për kontributin e tij si sekretar i partisë deri në Kuvendin e fundit, duke theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tij.
Sipas kryetarit të LDK-së, këto emërime bëhen si pjesë e konsolidimit organizativ dhe politik të partisë dhe shërbejnë si bazë për riorganizimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të strukturave drejtuese.
Së shpejti pritet të publikohet edhe përbërja e re e Kryesisë së LDK-së.