PDK-ja me rezolutë në seancën e nesërme, Tahiri: Të ndëshkohen përgjegjësit për skenarin me ekspozitën
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se në seancën e nesërme do të propozojnë një rezolutë jashtë rendit të ditës, me qëllim që Kuvendi i Kosovës të rreshtohet në mbrojtje të vlerave më të larta dhe të nderimit të viktimave, dëshmorëve dhe martirëve të luftës.
Në Debat Plus, Tahiri theksoi se përveç kësaj, është momenti që të reflektohet dhe të bëhen ndryshime në legjislacion, konkretisht në Kodin Penal, në mënyrë që këto vlera të mbrohen më fuqishëm.
Për ekspozitën e Shkëlzen Gashit me të dhëna të pasakta lidhur me masakrat në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, Tahiri tha se kërkesa për mbështetje financiare kishte ardhur nga një organizatë, ndërsa realizimi i projektit ishte bërë nga një tjetër.
“Kemi kërkuar hetim që të shihet pse është bërë ky manipulim se pse nuk ka pasur korrektësi, pse ka qenë organizatorë tjetër që ka kërkuar fondet dhe ka qenë organizata tjetër që ka realizuar projektin. Pse ka qenë gjithë ky skenar dhe kemi kërkuar hetim dhe ata që janë përgjegjës me u ndëshku”, ka deklaruar Tahiri.
Ekspozita në fjalë, për masakrat në Kosovë gjatë luftës 1998–1999, ishte organizuar nga organizatat joqeveritare INTEGRA dhe ADMOVERE, me përkrahje të Kuvendit të Kosovës.