Çështja e energjisë elektrike, Rizvanolli thotë se opozita po hedh akuza me informata të pabaza
Foto: Laura Hasani

Çështja e energjisë elektrike, Rizvanolli thotë se opozita po hedh akuza me informata të pabaza

Aktuale April 02, 2026 - 13:40

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur rreth çështjes së energjisë elektrike, duke thënë se opozita po hedh akuza me informata të pabaza.

Gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, ajo tha se rritja e çmimit të rrymës gjatë viteve të fundit, ka ndodhur në një kontekst të një krize botërore.

“Rritja e çmimit të rrymës vitin e kaluar ka ndodhur edhe për shkak të investimeve që po bëhen në KEK dhe të cilat nuk janë bërë për 40 vjet. Vitin e kaluar, Blloku 2 ka qenë jashtë operimit për 4 muaj e gjysmë për shkak të modernizimit të turbinës, kjo është një nga arsyet pse prodhimi ka qenë më i ulët”, deklaroi ajo.

Ministrja përmendi edhe kërkesën e ZRRE-së për rritje të çmimit të rrymës, për të cilën tha se janë në pritje të raportit.

“Sivjet kemi pasur një kërkesë për rritje, mirëpo ZRrE ende nuk ka dalë me raportin. Pastaj ne do ta vlerësojmë dhe do t’i dërgojmë komentet tona”, shtoi ajo.