AGK-ja dënon ashpër retorikën nxitëse dhe akuzuese të Kurtit kundër mediave e gazetarëve
Foto: Laura Hasani

AGK-ja dënon ashpër retorikën nxitëse dhe akuzuese të Kurtit kundër mediave e gazetarëve

Aktuale April 02, 2026 - 16:08

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, përsëri ka drejtuar akuza ndaj mediave dhe gazetarëve.

Kurti ndër të tjerash në fjalimin e tij përmendi Raportimet për financime me thasë parash” e “argatë të armiqve”, shkruan Zeri.info.

Pas këtij fjalimi, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke dënuar këtë retorikë të kryeministrit Kurti kundër mediave dhe gazetarëve.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte, për të vazhduar sulmet e tij ndaj mediave dhe gazetarëve, duke folur mes tjerash, për “hyrjen e parave në mënyrë të padukshme”. Kryeministri në fjalën e tij ka thënë se “një qytetar i dezinformuar nuk është një qytetar i lirë, por është i manipuluar dhe, siç tregojnë raportet, ky manipulim po vjen direkt nga armiqtë tanë, por fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë”. AGK-ja e dënon fuqishëm këtë retorikë nxitëse dhe akuzuese të Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë, duke i vlerësuar ata “argatë të armiqve”. Një gjuhë e tillë është vazhdimësi e fushatave të pareshtura të Kurtit, partisë dhe Qeverisë së tij, kundër gazetarëve dhe mediave me synim minimin e raportimit të pavarur dhe të lirë”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e AGK-së, përcjell “Zëri”.

“Sulmi i ri i Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve vjen vetëm pak ditë pas vizitës së një misioni faktmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve që konkludoi se Kosova ka shënuar rënie të vazhdueshme të lirisë së medias në vitet e fundit”, thekson AGK-ja.

Reagimi i plotë i AGK-së, pa ndërhyrje:

AGK-ja e dënon retorikën nxitëse dhe akuzuese të kryeministrit Albin Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte, për të vazhduar sulmet e tij ndaj mediave dhe gazetarëve, duke folur mes tjerash, për “hyrjen e parave në mënyrë të padukshme”.

Kryeministri në fjalën e tij ka thënë se “një qytetar i dezinformuar nuk është një qytetar i lirë, por është i manipuluar dhe, siç tregojnë raportet, ky manipulim po vjen direkt nga armiqtë tanë, por fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë”.

AGK-ja e dënon fuqishëm këtë retorikë nxitëse dhe akuzuese të Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë, duke i vlerësuar ata “argatë të armiqve”. Një gjuhë e tillë është vazhdimësi e fushatave të pareshtura të Kurtit, partisë dhe Qeverisë së tij, kundër gazetarëve dhe mediave me synim minimin e raportimit të pavarur dhe të lirë.

AGK-ja e fton Qeverinë e Kosovës që të angazhohet për një proces transparent për hartimin e ligjit të ri të KPM-së me gjithëpërfshirje në diskutime, të ndalojë presionin politik ndaj Transmetuesit Publik, RTK dhe menjëherë të heqë dorë nga fushatat e organizuara të denigrimit të mediave dhe gazetarëve.

Sulmi i ri i Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve vjen vetëm pak ditë pas vizitës së një misioni faktmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve që konkludoi se Kosova ka shënuar rënie të vazhdueshme të lirisë së medias në vitet e fundit. /Zëri