Qeveria mblidhet sot, në fokus masat e përkohshme për produktet bazë
Qeveria e Kosovës mblidhet sot në mbledhjen e radhës, ku ndër çështjet kryesore në shqyrtim pritet të jetë projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të destabilizimit në treg.
Mbledhja nis në orën 09:30, në ndërtesën e Qeverisë, në sallën P-31, ndërsa në rend dite janë përfshirë një numër projektligjesh dhe vendimesh që prekin fusha të ndryshme të politikave publike.
Përveç projektligjit që synon ndërhyrjen institucionale në rast të luhatjeve të tregut për produktet bazë, ekzekutivi do të shqyrtojë edhe Projektligjin për Shtetësinë e Kosovës, Projektligjin për Lëndët Plasëse, Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, si dhe Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore.
Në agjendë janë edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, Projektligji për Shërbimet e Pagesave dhe Projektligji për lojërat mesdhetare “Prishtina 2030”.
Kabineti qeveritar pritet të shqyrtojë gjithashtu propozim-vendimin për emërimin e Bordit të Drejtorëve të KRU “Hidrodrini” SHA në Pejë, si dhe formimin e Komisionit për shqyrtimin e gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.
Në këtë mbledhje do të trajtohet edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar dhe ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Luginën e Preshevës, si dhe Drafti i Planit të Veprimit për Qeverisje të Hapur 2026–2028.
Ministrat do të informohen edhe për raportin mbi funksionimin e komunave për vitin 2025, ndërsa në fund të mbledhjes parashihet të shqyrtohen çështje të ndryshme.