Kompletimi i KQZ-së në “duart” e Osmanit apo të Haxhiut?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të jetë i pakompletuar në përbërje si pasojë e mosemërimit të anëtarit të dhjetë nga presidentja, Vjosa Osmani.
Të pyetur se a do ta emërojë presidentja këtë anëtar para përfundimit të mandatit, nga Presidenca thanë shkurt se “nuk ka diçka të re”.
Ndërkohë dy partitë që janë në betejë për një anëtar në KQZ, LVV-ja dhe PDK-ja, kërkojnë nga Osmani të veprojë në këtë drejtim.
Në Lëvizjen Vetëvendosje insistojnë që anëtari i tretë në këtë institucion u takon atyre.
“E ka thënë kushtetuta ligji për zgjedhjet dhe e ka thënë edhe vendimi gjykatë si vitit 2019 që anëtarit në KQZ përfaqësojnë subjektet politike që janë kanë kuvend ……….duke qenë se ne kemi 57 deputet është e pritshme, reale të kemi edhe anëtarin e tretë…”, tha Nagavci për Rtv21
Mandati i presidentes Osmani përfundon të shtunën teksa vendin e saj, si ushtruese e detyrës së presidentit, do ta zë kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu.
Në PDK i bëjnë thirrje presidentes Osmani që urgjentisht ta emërojë anëtarin e saj të dytë në KQZ në mënyrë që siç thonë kjo çështje mos t’i mbetët Haxhiut e cila sipas deputetit Artan Behrami jetëson vetëm qëllimet politike të partisë së saj.
“Ne presim që urgjentisht… të vendos për njeriun e dytë që PDK udhët ta ketë patjetër në KQZ sepse nëse kjo i lihet në dorë një militanteje politike siç është Albulena Haxhiu që i shkon vetëm interesave të LVV-së atëherë ajo do të bëj çmos që PDK-ja të mos e ketë njeriun e dytë në KQZ… Mosbesimi i PDK-së tek prandaj Osmani është shumë i madh, ndërsa për Albulena haxhiun është i 100-fishtë…”, theksoi Behrami.
KQZ-ja ka gjithsej dhjetë anëtarë dhe kryetarin e saj. Në mungesë të anëtarit të dhjetë vetëm nëntë anëtarë të rinj të KQZ-së kanë bërë në betimin para presidentes Vjosa Osmani.
Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë se përbërja e KQZ-së duhet të kompletohet sa më parë teksa nuk e përjashtojnë mundësinë që anëtari i dhjetë të emërohet edhe nga Albulena Haxhiu si ushtruese e ardhshme e postit të presidentit.
“Presidentja e ka obligim kushtetues t’ia japë përbërjen e plotë KQZ-së”, tha Bugaqku.
Ditë më parë Gjykata Kushtetuese e shpalli të papranueshme kërkesën e presidentes Osmani për sqarim lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së duke thënë se kompetenca e presidentes për këtë çështje nuk është përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin për zgjedhje.