Prokuroria rrëzon kallëzimin e LDK-së për grante ndaj Faton Pecit
Prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal të bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në ndarjen e granteve në bujqësi.
Këtë vendim Peci e ka cilësuar si konfirmim të drejtësisë dhe pastërtisë së veprimeve të tij gjatë mandatit.
“Drejtësia foli qartë: Prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal të LDK-së kundër meje për grantet në bujqësi”, shkroi ai në Facebook.
Sipas Pecit, gjatë kohës sa drejtonte Ministrinë e Bujqësisë, Institucioni ka kaluar në reforma të thella, duke theksuar se për herë të parë fermerët nuk kanë qenë të detyruar të japin ryshfet për të përfituar grante. Ai ka deklaruar se rreth 360 milionë euro janë ndarë për mbi 130 mijë fermerë përfitues, pa asnjë rast të dëshmuar të përfitimit jashtë kritereve ligjore.
Peci ka përmendur se, megjithëse është përfolur një rast i një përfituesi që lidhej familjarisht me një deputete, nuk është gjetur asnjë provë që ai të ketë ndikuar në proces.
Në reagimin e tij, Peci ka kritikuar edhe zyrtarë të tjerë të LDK-së për, siç tha, “propagandë dhe shpifje”, duke shtuar se ndaj tyre do të ngrihet kallëzim penal.
Ish-ministri ka theksuar se gjatë mandatit të tij nuk ka ndërhyrë asnjëherë në proceset e ndarjes së subvencioneve, granteve apo tenderëve, duke shtuar se mbetet krenar për arritjet në sektorin e bujqësisë.
Ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri, pati dorëzuar kallëzim penal ndaj Pecit me arsyetimin se vëllai i Pacollit kishte marrë grante nga Ministria.