Nis seanca e jashtëzakonshme për rritjen e çmimeve të naftës
Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite do të jetë vetëm një pikë: shqyrtimi i Propozim-Rezolutës lidhur me rritjen e çmimeve të naftës dhe ndikimin e tyre në ekonominë e vendit.
Kjo seancë është thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në fokus të diskutimit do të jetë rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës së qytetarëve, si dhe në stabilitetin ekonomik të vendit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka theksuar se ndërhyrja e ekzekutivit është urgjente, duke kritikuar mungesën e veprimeve konkrete nga institucionet.
Deputetët e opozitës kanë akuzuar Qeverinë se nuk ka ndërmarrë masa për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve, duke përmendur si mundësi uljen e akcizës dhe të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), propozime që sipas tyre janë refuzuar nga zyrtarët qeveritarë.
Sipas të dhënave aktuale, çmimi i naftës në vend ka arritur rreth 1.8 euro për litër, duke shënuar një rritje prej më shumë se 50 për qind që nga fillimi i muajit mars.