Hamza: Qytetarët po vuajnë nga çmimet e derivateve, Qeveria s’po merr masa efektive
Foto: Laura Hasani

Hamza: Qytetarët po vuajnë nga çmimet e derivateve, Qeveria s’po merr masa efektive

Aktuale April 03, 2026 - 12:30

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit foli për çmimet e derivateve të naftës, duke thënë se nga kjo po pësojnë qytetarët.

Ai për këtë pati kritika ndaj Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

Hamza në seancën e jashtëzakonshme u shpreh se raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon të dhëna shqetësuese, duke përmendur edhe inflacionin.

“Krizat ekonomike kanë edhe zhvillime ciklike. Vijnë prej faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, dhe zakonisht nuk vijnë prej faktorëve të njëjtë. Edhe kësaj radhe, situata që ndodhi është rezultat i faktorëve të jashtëm, mirëpo çka dallon? Dallon se qeveritë e vendeve përkatëse a janë aktive, a marrin masa, apo janë vëzhgues pasivë sikurse në rastin konkret, dhe barrën e paguajnë qytetarët e vendit. Çmimi i naftës është në ngritje e sipër. Është një produkt i cili ka impakt në ngritjen e kostos së shumë produkteve të tjera, qoftë në prodhim, qoftë në shërbime. Dhe për më keq, kur ndikon në rritjen e çmimit të një produkti, mbas një periudhe të caktuar kohore mundet çmimi i asaj i naftës, si rezultat i ecurive në bursa të ndryshme me rënë, por çmimi i produkteve që u rrit si rezultat i ngritjes së çmimit të naftës, mbetet i njëjtë. Prandaj qeveria nuk është duke e marrë në konsideratë ndikimin dhe impaktin e kësaj dukurie në përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Kjo vazhdon me i varfëru qytetarët e Kosovës. Qeveria nuk është t’u i lexu mirë as zhvillimet dhe indikatorët makroekonomikë dhe financiarë. Kemi edhe raportin e fundit, Fondit Monetar Ndërkombëtar. Nuk është që thotë diçka tjetër më shumë se çka kemi thënë ne këtu, po e konstatojnë edhe ata: Rritja ekonomike për vitin 2025 vlerësohet se është 3.6%, që është më e ulëta e viteve të fundit. Një nivel i rritjes ekonomike i cili është i pamjaftueshëm me adresu nevojat dhe sfidat e ekonomisë së Kosovës. Për më keq, parashikimet janë edhe më të zbehta ku për vitin 2026 parashikohet rritje ekonomike prej 3.3%. Inflacioni, për me thënë në gjuhën popullore: rritja e çmimeve dhe përkeqësimi i standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës, varfërimi i qytetarëve të Kosovës, shkurt i shkurtit të vitit 2026 krahasim me shkurtin e vitit paraprak është 6%”, u shpreh Hamza.

Hamza tha se e përkrahin çdo masë që ndikon në përmirësim të jetesës.

“Prandaj, ne e përkrahim çdo masë e cila shkon në drejtim të përmirësimit të standardit të qytetarëve të Kosovës, kategorive të ndryshme të Kosovës, por rritja për 1% e caktuar e pagave, pensioneve apo çfarëdo kontributi, nuk është rritje. Nuk është as nivelizim, nuk e ruan as vlerën e njëjtë të parave në raport me periudhën paraprake”, tha tutje ai.

Image