Kina tejkalon SHBA-në në miratim global, Kosova ndër vendet më pro-amerikane
Kina e ka tejkaluar SHBA-në në vlerësimet globale të miratimit për vitin 2025, sipas raportit të publikuar nga Gallup, i cili bazohet në anketa të realizuara në më shumë se 130 vende.
Sipas raportit, 36 për qind e të anketuarve miratojnë udhëheqjen e Kinës, krahasuar me 31 për qind për SHBA-në. Gallup thekson se kjo është epërsia më e madhe e regjistruar ndonjëherë në favor të Kinës ndaj SHBA-së në gati 20 vjet.
Në të njëjtën kohë, mosmiratimi për udhëheqjen e SHBA-së ka arritur në 48 për qind, niveli më i lartë i regjistruar, ndërsa për Kinën ka mbetur në 37 për qind.
Sipas Gallup, ky ndryshim pasqyron më shumë rënien e vlerësimeve për SHBA-në sesa një rritje të madhe të mbështetjes për Kinën. Miratimi për udhëheqjen e SHBA-së ka rënë nga 39 për qind në vitin 2024 në 31 për qind në vitin 2025, ndërsa ai për Kinën është rritur nga 32 për qind në 36 për qind.
Raporti thekson se Kosova renditet ndër vendet që anojnë më shumë nga SHBA-ja në aspektin e opinionit publik, së bashku me Izraelin, Poloninë, Shqipërinë dhe Filipinet.
Në renditjen globale të Gallup, Gjermania mban vlerësimin më të lartë me 48 për qind, pasuar nga Kina me 36 për qind, SHBA-ja me 31 për qind dhe Rusia me 26 për qind.
