Xhamat e zinj në vetura, MPB: Vendosja e folieve e ndaluar
Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një njoftim rreth çështjes së xhamave të errët në automjete ku thuhet se ato lejohen vetëm nëse janë të prodhuar si të tillë.
Sipas MPB-së, vendosja e letrës ngjitëse për errësim të xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme që kërkojnë miratim të veçantë të kësaj ministrie.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, lejohet përdorimi i xhamave të errët vetëm për automjetet që janë të prodhuara si të tilla nga prodhuesi. Vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme që lejohen vetëm me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas paraqitjes së kërkeses së arsyetuar dhe dokumentacionit mbështetës”.
“Për të sqaruar këtë çështje, Departamenti Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, më datë 24.02.2026, ka dërguar edhe opinion ligjor, përmes të cilit është sqaruar se përdorimi i xhamave të errët rregullohet ekskluzivisht nga dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 12/2024, dhe se keto dispozita janë të qarta dhe detyruese për zbatim”.
Ministria e Punëve të Brendshme thekson mes tjerash se çdo interpretim apo praktikë që bie në kundërshtim me këto dispozita nuk ka bazë ligjore dhe cenon zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit.
“Këto rregulla janë vendosur me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik, lehtësimit të kontrollit nga organet e rendit dhe parandalimit të aktiviteteve të paligjshme”, theksohet në njoftimin e kësaj ministrie.