Tahiri: 60 milionë u dhanë për rrogën e 13-të, asnjë veprim për naftën
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të veprimeve konkrete në përballje me rritjen e çmimit të naftës.
Gjatë seancës së sotme ku po diskutohet rritja e çmimit të karburanteve, ai përmendi disa vendime financiare që sipas tij tregojnë se ka pasur mundësi për ndërhyrje edhe në këtë sektor.
“Qysh pat mundësi me e zbatuar një zotim elektoral të një pagese në vlerë prej 60 milionë euro për pagën e 13-të, qysh pat mundësi kjo qeveri me i dhënë mbi 3 mijë tendera njëburimor”, tha mes tjerash Tahiri.
Ai shtoi se nevojiten masa konkrete nga ekzekutivi në uljen e çmimeve të naftës.
“Ne nuk kemi nevojë për ligjërata për problemet globale, se i dimë edhe këtë që po e njohim si krizë. Çka është duke bërë Qeveria e Kosovës, cilin veprim të vetëm po e bën me e ulë çmimin e naftës në mënyrë që të ndikojë në gjithë sektorët tjerë. Pra, nuk ka vullnet politik”, shtoi Tahiri.