Hodhi mbeturina inerte, kryetari i Suharekës apel autorit: Je i njohur për institucionet, largoj ose do të marrësh gjobë
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka shkruar sot lidhur me hedhjen e mbeturinave interte në fshatin Dobërdelan.
Ai theksoi se ajo zonë është pastruar disa herë, ndërsa fton personin që i ka hedhur mbeturinat interte t’i largojë pasi tashmë është i njohur për autoritetet dhe nëse nuk i largon do të dënohet.
Postimi i plotë:
Kjo zonë në Fshatin Dobërdelan është pastruar disa herë.
Por dikush po mendon që situatën e shfrytëzon dhe i shpëton dënimit, me hedhje të mbeturinave inerte, vend e pa vend.
E ftojmë autorin (tash i njohur për institucionet përkatëse) t’i largoj menjëherë dhe natyrisht me mosveprim do ta marrë gjobën e merituar sipas ligjit.
Ndërkohë, situata me sasinë e mbeturinave në qytet e kudo në fshatra është ende shqetësim i yni i përbashkët.
E falënderoj Asamblenë Komunale që dje votoi për ndryshim të tarifës. Mirëpo, EKO-Regjioni doli me një njoftim të ri, që çmimi prej 6 euro nuk është i mjaftueshëm për ta menaxhuar përballjen me situatën e re dhe shqetësimet e tyre i kanë paraqitur edhe takimin e Asamblesë Komunale.
Ta sqarojmë një çështje. Kjo situatë, aspak nuk është politike dhe s’kemi nevojë ta ngarkojmë qytetarin me debate që prodhojnë ndasi të panevojshme.
Komuna jonë është shtëpia jonë. Dhe, të gjitha subjektet politike e duan më të mirën për qytetarët tanë.
EKO-Regjioni ka bërë punë të shkëlqyeshme gjithmonë dhe mendoj se duhet ta ndihmojmë në gjetjen e zgjidhjes.
Unë ju ftoj që bashkë edhe më tutje ta gjejmë zgjidhjen e re, që të dalim nga kjo situatë e pakëndshme.
Bisedojmë bashkë, debatojmë bashkë, sepse e ndihmon demokracinë që të kemi mendime ndryshe.
E ftoj Asamblenë Komunale që bashkë ta analizojmë dhe të vendosim për situatën e re.
Si gjithmonë, ashtu siç kemi qenë bashkë në situata të njëjta e ndoshta edhe më të rënda për qytetarët, të veprojmë e t’ju shërbejmë me përkushtim.