IKD: Kryesia e Kuvendit të rikthejë ligjshmërinë dhe të zgjedhë Sekretarin

IKD: Kryesia e Kuvendit të rikthejë ligjshmërinë dhe të zgjedhë Sekretarin

Aktuale April 04, 2026 - 11:47

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se refuzimi i Kryesisë së Kuvendit për të përzgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit dhe shpallja e një konkursi të ri pa bazë ligjore përbën “një nga shembujt më të qartë të mosrespektimit të ligjit, zvarritjes institucionale dhe vendimmarrjes arbitrare”.

IKD thekson se Kryesia e Kuvendit, pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore dhe propozimit të dy kandidatëve për votim, “në mënyrë arbitrare ka vendosur që të mos votoj asnjërin prej tyre dhe të shpallë konkurs të ri”.

Sipas IKD-së, kjo mënyrë e veprimit është “në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi”, cenon sigurinë juridike të kandidatëve dhe rrezikon krijimin e “një standardi të rrezikshëm institucional”.

Instituti rikujton se procesi për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm ka nisur më 31 gusht 2024, me shpalljen e konkursit publik, ndërsa pas përfundimit të të gjitha fazave të parapara ligjore, më 30 dhjetor 2024 raporti përfundimtar i është dorëzuar Kryesisë së Kuvendit për vendimmarrje.

Në këtë proces, dy kandidatët që kanë kaluar pragun ligjor dhe janë propozuar për përzgjedhje kanë qenë Arben Loshi me 90.2 pikë dhe Taulant Bajrami me 88.2 pikë.

“Nuk ka pasur asnjë ankesë, asnjë kontestim procedural dhe asnjë vërejtje për ligjshmërinë e procesit”, thuhet në reagim.

IKD thekson se sipas nenit 19 të Rregullores së Kuvendit, si dhe neneve 47 dhe 49 të Ligjit për Zyrtarët Publik, Kryesia e Kuvendit ka qenë e obliguar që brenda 30 ditëve nga shpallja e kandidatëve fitues të përzgjedhë dhe emërojë njërin nga kandidatët e propozuar.

“Ky afat ka skaduar prej kohësh dhe Kryesia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta zbatuar ligjin”, thuhet më tej.

Sipas IKD-së, edhe opinioni juridik i përgatitur për Kryesinë e Kuvendit konstaton se Drejtoria për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore i ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë dhe se në asnjë pjesë të tij nuk konstatohet se procesi ka pasur shkelje, mangësi ose arsye ligjore për anulim.

“Kryesia nuk ka pasur përpara një proces të dështuar, por një proces të përfunduar, të ligjshëm dhe të pakontestuar, ku ka qenë e obliguar të zgjedhë njërin nga dy kandidatët e propozuar”, vlerëson IKD.

Instituti shton se moszgjedhja e kandidatit “nuk është thjesht një lëshim procedural”, por “përbën refuzim për të zbatuar ligjin sipas rezultatit të një procesi të ligjshëm administrativ”.

Më tej, IKD e cilëson shqetësues faktin që propozimi për anulimin e konkursit nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme në Kryesi, pasi me tre vota për dhe tre abstenime nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.

“Kjo situatë krijon një precedent të rrezikshëm për të gjitha institucionet publike”, thuhet në reagim.

IKD konsideron se përgjegjësia për këtë situatë bie fillimisht mbi Kryetaren e Kuvendit të Kosovës dhe, në anën tjetër, mbi të gjithë anëtarët e Kryesisë, përfshirë edhe përfaqësuesit e opozitës, të cilët sipas procesverbalit të mbledhjes së 2 marsit 2026 “nuk kanë reaguar ndaj shkeljeve të qarta ligjore” dhe “kanë abstenuar kur është propozuar anulimi i konkursit”.

Po ashtu, IKD rikujton se sipas Ligjit Nr.08/L-294 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publik, një pozitë mund të mbahet me ushtrues detyre maksimum deri në dy vjet, ndërsa sipas standardit të vendosur nga Gjykata Supreme kjo periudhë i referohet pozitës dhe jo personit.

“Andaj, sipas ligjit, pas periudhës (2) vjeçare, një pozitë nuk mund të mbahet fare me UD”, thekson IKD.

Në fund, IKD i bën thirrje Kuvendit të Kosovës “që të rikthejë ligjshmërinë në këtë proces, duke përzgjedhur menjëherë njërin nga kandidatët e propozuar dhe duke ndalur praktikat arbitrare që cenojnë integritetin e administratës publike, funksionimin normal të Kuvendit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e vendit”.