AGK: Padia e Blinera Osmanit ndaj mediave dhe gazetarëve ka elemente të qarta të një padie SLAPP
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim serioz për padinë e ushtruar nga Blinera Osmani, avokate dhe njëherësh motra e Presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kundër tri mediave online dhe dy gazetarëve, lidhur me raportimin për mënyrën se si ajo është pajisur me licencë të avokatisë.
Sipas AGK-së, media online “Nacionale” dhe gazetari Oqean Dermaku kanë publikuar më 18 dhjetor 2025 një hulumtim, në të cilin thuhet se Osmani është pajisur me licencë avokatie pavarësisht mungesës së dokumentit “Deklarata e Papunësisë”.
Ky dokument, që dëshmon se kandidati nuk është në marrëdhënie pune, është kriter i domosdoshëm për t’u bërë avokat dhe lëshohet nga Agjencia e Punësimit.
AGK-ja thekson se raportimi i gazetarit Dermaku është bazuar në konfirmim zyrtar nga kjo agjenci, sipas të cilit deklarata nuk i është lëshuar Osmanit. Ky raportim është ripublikuar edhe nga “Reporteri” dhe “Periskopi”, ndërsa është shpërndarë në rrjete sociale nga gazetarët Oqean Dermaku dhe Berat Buzhala, raporton Zeri.info.
Pas një analize të fakteve, përmbajtjes së padisë dhe standardeve relevante evropiane për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe medias, AGK vlerëson se kjo padi përmban elemente të qarta të një Padie Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP).
Sipas AGK-së, padia përbën një përpjekje për të penalizuar, frikësuar dhe dekurajuar mediat dhe gazetarët për raportimin e tyre mbi një çështje me interes të lartë publik.
“Në këtë rast, padia nuk ka për qëllim vetëm mbrojtjen e pretenduar të reputacionit, por prodhon efekt intimidues ndaj gazetarisë hulumtuese dhe raportimit kritik për çështje me rëndësi publike”, thuhet në reagim.
AGK-ja ka bërë të ditur se do ta monitorojë rastin në gjykatë, duke shprehur besim të plotë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Po ashtu, e ka mirëpritur faktin që gjykata ka kërkuar përgjigje nga të paditurit brenda një periudhe më pak se tre muaj nga paraqitja e padisë, duke e cilësuar këtë si tregues të zbatimit të Strategjisë së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për Qasje në Drejtësi, e cila prioritizon rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, shpifjes dhe padive SLAPP.
Në fund, AGK-ja ka bërë të ditur se analiza e plotë ligjore për këtë rast është përgatitur nga juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, njëherësh këshilltare e jashtme ligjore pro bono e AGK-së, bashkautorë e Rekomandimit të Këshillit të Evropës kundër padive SLAPP dhe anëtare e Grupit të Ekspertëve të Komisionit Evropian kundër këtyre padive. /Zëri