Vjen reagimi i parë i Albulena Haxhiut pas marrjes së pozitës si ushtruese e detyrës së presidentit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka marrë zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të vendit dhe ka bërë reagimin e parë.
Ajo ka premtuar se do ta kryejë me përkushtim e përgjegjësi këtë detyrë për të siguruar stabilitet institucional, shkruan Zeri.info.
“Sot kam marrë detyrën e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.
Mekanizmat kushtetues që kemi ndërtuar garantojnë vazhdimësi e stabilitet institucional.
Këtë përgjegjësi do ta ushtroj me përkushtim të plotë, duke garantuar funksionim të pandërprerë të institucioneve dhe respektim të rendit kushtetues”, u shpreh Haxhiu.
Ajo ndër tjera falënderoi edhe ish-presidenten Vjosa Osmani për shërbimin ndaj popullit të Kosovës.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vijojë procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri brenda afateve kushtetuese. Deri në përmbylljen e këtij procesi, do ta ushtroj këtë detyrë në respekt të plotë të Kushtetutës, ligjit dhe interesit publik.
Falënderoj Presidenten Vjosa Osmani Sadriu për shërbimin e saj ndaj vendit dhe i uroj suksese në vazhdim”, theksoi Haxhiu ndër tjera. /Zëri