Podujeva do të bëhet me impiant për trajtimin e ujërave të ndotura
Rrjedha e lumit Llap, burimi i të cilit fillon nga fshati Pollatë e deri në grykëderdhjen e tij në lumin Sitnica, është e ndotur nga ujërat e zeza.
Çdo fshat i komunës së Podujevës që ka pranë rrjedhën e lumit, aty i ka kyçur edhe ujërat e zeza. Njësoj është vepruar edhe në qytet.
“Unë e mbaj në mend kur kemi pi ujë në këtë lum, e tash derdhen ujërat e zeza, shumë keq që kjo po ndodhë se ky ujë është pasuri e jona”, ka thënë një qytetar.
Në qendër të qytetit, shtrati i lumit është rregulluar dhe pastruar nga mbeturinat, por kontaminimi nga ujërat e zeza nuk vërehet me sy. Andaj, disa qytetarë nuk e dinë se uji i lumit është i përzier me ujëra të zeza.
“Ky lum është shumë i mirë nuk ka mbeturina, e për ujera të zeza më sa di në qytet nuk ka por mundet me pas prej fshatrave prej të cilave vjen rrjedha e ujit", ka shtuar një tjetër qytetar.
“Lumi është bukuria më e mirë e natyrës që e kemi në komunën tonë, nuk e di a ka derdhje të ujërave të zeza në lum, ndoshta edhe ka por unë nuk e di”, ka thënë një qytetar.
Një marrëveshje kredie mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila tashmë ka marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi, parashihet ndërtimi i pesë impianteve, njëri prej të cilëve do të ndërtohet në Podujevë.
“Ka përfunduar analiza e fizibiletetit dhe pastaj është dërguar kërkesa në Bankën Evropiane për ndërtim dhe zhvillim për kredi 25 milionëshe e cila është konsideruar si e mjaftueshme për zhvillimin e këtij projekti. Lokacioni është në fshatin Lupç te lagjja Pireva sepse aty është kufiri administrativ i komunës sonë dhe aty është pjesa ku do të ndërtohet impianti ku do të zbrazen ujërat e zeza”, ka thënë Bahri Selimi, drejtor i shërbimeve publike në komunën e Podujevës.
Ndërtimi i impiantit për grumbullimin e ujërave të zeza në Podujevë është planifikuar të përfundojë në vitin 2030. Ndërkohë, impiante për trajtimin e ujërave parashihet të ndërtohen edhe në Prishtinë dhe Mitrovicë./rtk