Psikologët: Ditët e para të pranverës rrisin energjinë
Ngjyrat gjallëruese të pranverës kanë mbërritur edhe në parkun e lagjes Dardania në Prishtinë, duke sjellë një atmosferë më të gjallë dhe më të këndshme për qytetarët.
Ditët me diell po ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen shpirtërore të njerëzve, duke rritur energjinë dhe optimizmin. Psikologët theksojnë se kjo është vërtetuar edhe shkencërisht, pasi ditët e para të pranverës ndikojnë pozitivisht në rritjen e energjisë dhe vullnetit te njerëzit.
“Është vërtetuar që drita, rrezet dhe ngjyrat që janë më të hapura, më të çelëta ndikojnë më pozitivisht në gjendjen emocionale të njerëzve, në anën tjetër stina e dimrit apo temperaturat më të ftohta ndikojnë pak më negativisht. Në përgjithësi është vërtetuar që stinët siç është vera dhe pranvera këto stinët e nxehta njerëzit ndihen ma të lumtur de mirë emocionalisht”, ka thënë Tringa Visoka, Psikologe.
Ky ndikim i vërtetuar shkencërisht vërehet edhe në parqet e Prishtinës, ku gjelbërimi ka nxitur daljen dhe ecjen e qytetarëve. Mjafton një shëtitje në parkun e Dardanisë për të parë se shtigjet e ecjes dhe ulëset janë të mbushura me qytetarë, të cilët kanë dalë për ta shijuar lulëzimin e natyrës dhe ditët e ngrohta të pranverës.
“Tash në Pranverë është ma mirë me ec, unë dal kah dy orë eci edhe këtu në këtë park është mirë se ka qetësi edhe ajri i pastër, un çdo dit dal për të ecur”, ka thënë një qytetar.