Hamza i përgjigjet Kurtit: Konkretizoni iniciativën për çështjen e presidentit, pastaj e shqyrtojmë
Foto: Laura Hasani

Hamza i përgjigjet Kurtit: Konkretizoni iniciativën për çështjen e presidentit, pastaj e shqyrtojmë

Aktuale April 06, 2026 - 14:38

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar lidhur me ftesat e kryeministrit Albin Kurti për takime me partitë politike në funksion të zgjedhjes së presidentit të ri.

Nga Zyra e Informimit e PDK-së bëjnë të ditur për Zeri.info, se kryetari Bedri Hamza i është përgjigjur kryeministrit, duke kërkuar që iniciativa të formalizohet përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të trajtohet me seriozitet institucional.

“Kryetari Hamza i ka kthyer përgjigje Kurtit lidhur me ftesën për takim. Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, kanë thënë për “Zërin” nga Zyra për Informim e PDK-së.

PDK-ja thekson se çdo zhvillim i mëtejmë lidhur me këtë çështje do të trajtohet në përputhje me procedurat e brendshme partiake, duke lënë të hapur mundësinë për një qëndrim zyrtar pas shqyrtimit në organet drejtuese. /Zëri