Privatësia në fokus, mbi një mijë ankesa në një vit – AIP-ja raporton për rritje të rasteve

Privatësia në fokus, mbi një mijë ankesa në një vit – AIP-ja raporton për rritje të rasteve

Aktuale April 08, 2026 - 09:45

Komisionarja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Krenare Sogojeva-Dermaku, e ka prezantuar në Kuvendi i Kosovës para Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes raportin e punës së institucionit për vitin 2025, duke theksuar angazhimin në mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumente publike.

Sipas njoftimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka ushtruar fushë veprimtarinë e saj në mënyrë objektive dhe profesionale, në trajtimin e ankesave të adresuara, ofrimin e këshillave dhe opinioneve për institucionet publike, private, qytetarëve dhe grupe tjera të interesit.

Gjatë vitit 2025, AIP ka pranuar gjithsej 1,085 ankesa nga institucione, organizata, media dhe qytetarë. Në fushën e qasjes në dokumente publike, janë trajtuar 927 ankesa, ndërsa “832 ankesa kanë përfunduar me vendime administrative ndërsa 175 ankesa janë bartur për vitin 2026”.

Ndërkaq, për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia ka pranuar 158 ankesa, ku “139 ankesa kanë përfunduar me vendime administrative ndërsa nëntëmbëdhjetë (19) ankesa janë bartur për vitin 2026”.

Në funksion të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit, AIP ka realizuar 367 inspektime, prej të cilave 226 sipas detyrës zyrtare dhe 141 bazuar në ankesa.

Agjencia ka theksuar gjithashtu përpjekjet për përafrim me standardet evropiane, duke bërë të ditur se “ka vazhduar veprimet për finalizimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Institucionet e Zbatimit të Ligjit, në përputhje me Direktivën (BE) 2016/680”.

Në aspektin e këshillimit, janë ofruar 58 këshilla ligjore për sektorin publik, privat dhe qytetarët, ndërsa aktivitetet ndërgjegjësuese kanë qenë të shumta.

“Gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, janë realizuar mbi 80 aktivitete informuese dhe janë trajnuar mbi 807 pjesëmarrës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Agjencia ka finalizuar katër udhëzues për mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë privatësinë në internet dhe sektorin shëndetësor, si dhe ka ndërmarrë hapa drejt digjitalizimit përmes lansimit të sistemit CMS për menaxhimin e rasteve.

Në planin ndërkombëtar, AIP ka realizuar mbi 20 aktivitete dhe ka marrë pjesë aktive në mekanizma evropianë, përfshirë European Data Protection Board.

Sipas raportit të Komisioni Evropian për vitin 2024, “Agjencia për Informim dhe Privatësi ka punuar në mënyrë të pavarur dhe efikase”, ndërsa legjislacioni në këtë fushë është në përputhje me standardet evropiane.

Raporti vjetor për vitin 2025 pritet të shqyrtohet dhe miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva- Dermaku, ka prezantuar më 07 prill 2026 në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes

Agjencia për Informim dhe Privatësi ( AIP) ka ushtruar fushë veprimtarinë e saj në mënyrë objektive dhe profesionale, në trajtimin e ankesave të adresuara, ofrimin e këshillave dhe opinioneve për institucionet publike, private, qytetarëve dhe grupe tjera të interesit. Përmes ekspertizës profesionale, Agjencia ka ofruar mbështetjeje për institucionet publike dhe private në hartimin e akteve nën-ligjore dhe rregullativës së brendshme për mbrojtjen e të dhënave personale dhe politikat e privatësisë.

Në përmbushjen e mandatit të saj ligjor për realizimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumentin publike, gjatë periudhës raportuese janar – dhjetor 2025, Agjencia ka pranuar gjithsejtë njëmijë e tetëdhjetë e pesë (1,085) ankesa të adresuara nga institucionet publike dhe private, Organizatat Jo Qeveritare, Mediat, Qytetarët dhe nga grupe të tjera të interesit. Në realizimin e së drejtës për qasje në dokumente publike, Agjencia gjatë vitit 2025 ka pranuar gjithsejtë nëntëqind e njëzet e shtatë (927) ankesa, dhe tetë dhjetë (80) të bartura nga viti paraprak. Nga ky numër, 832 ankesa kanë përfunduar me vendime administrative ndërsa 175 ankesa janë bartur për vitin 2026.

Në realizimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia gjatë vitit 2025 ka pranuar gjithsejtë njëqind e pesëdhjetë e tetë (158) ankesa, dhe dymbëdhjetë (12) të bartura nga viti paraprak. Nga ky numër, njëqind e tridhjetë e nëntë (139) ankesa kanë përfunduar me vendime administrative ndërsa nëntëmbëdhjetë (19) ankesa janë bartur për vitin 2026.

Në funksion të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit dhe garantimit të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve, gjatë periudhës raportuese, Agjencia ka realizuar gjithsej 367 inspektime. 226 inspektime janë realizuar sipas detyrës zyrtare, ndërsa 141 inspektime janë realizuar sipas ankesave të adresuara në Agjenci.

Me qëllim të harmonizimit të kuadrit ligjor me standardet evropiane, Agjencia ka vazhduar veprimet për finalizimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Institucionet e Zbatimit të Ligjit, në përputhje me Direktivën (BE) 2016/680 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit (e njohur si Law Enforcement Directive – LED).

Agjencia ka ofruar gjithsejtë pesëdhjetë e tetë (58) këshilla ligjore, ku njëzet e nëntë (29) këshilla janë lëshuar për institucionet nga sektori publik, shtatëmbëdhjetë (17) për institucionet nga sektori privat, dhe dymbëdhjetë (12) këshilla subjekteve të të dhënave.

Aktivitetet e Agjencisë në vitin 2025, janë përqendruar në thellimin e bashkëpunimit me institucionet publike dhe private, organizatat joqeveritare dhe sektorin e mediave, duke promovuar të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumente publike përmes trajnimeve, punëtorive dhe fushatave ndërgjegjësuese me qëllim të promovimit, të të drejtave për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publike.

Në këtë kontekst, gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, janë realizuar mbi 80 aktivitete informuese dhe janë trajnuar mbi 807 pjesëmarrës nga sektori publik dhe privat, përfshirë zyrtarë publik, kontrollues dhe përfaqësues nga grupe tjera të interesit, sektori i shëndetësisë, sistemi bankar, qendrat sociale, organizatat joqeveritare, mediat dhe subjekte të tjera.

Përmes ekspertizës profesionale dhe me qëllim të mbështetjes së kontrolluesve dhe përpunuesve nga sektori publik dhe privat, në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe standardizimin e qasjes gjatë përpunimit të të dhënave personale, në përputhje me parimet e përgjegjshmërisë, proporcionalitetit dhe transparencës, gjatë kësaj periudhe, Agjencia ka finalizuar dhe publikuar katër (4) Udhëzues për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Agjencia ka ndërmarrë hapa dhe veprime konkrete në funksionalizimin e procesit të digjitalizimit, duke lansuar projektin e CMS – Sistemi i Menaxhimit të Rasteve, projekt i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj palëve të ndryshme të interesit të cilët i adresohen Agjencisë, veçanërisht në ofrimin e shërbimeve më të mira, transparente dhe më efikase për qytetarët.

Në kuadër të informimit dhe ndërgjegjësimit, në periudhën raportuese, Agjencia ka përgatitur 4 udhëzues për mbrojtjen e të dhënave personale

- Udhëzues lidhur me privatësinë në internet

- Udhëzues për përpunimin e ligjshëm të të dhënave

- Udhëzues për vlerësimin e ndikimit mbi mbrojtjen e të dhënave

- Udhëzues për sektorin shëndetësor.

Në angazhimet për ta forcuar rolin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare Agjencia ka realizuar mbi 20 aktivitete ndërkombëtare me pjesëmarrje aktive në Bordin evropian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ( EDPP) forume, konferenca, Grupe Punuese

Pjesëmarrje aktive të katër (4) takimet e Bordit të EDB-së

Pjesëmarrje në katër (4) Grupe Punuese me karakter ndërkombëtar

Organizatore e dy (2) konferencave ndërkombëtare me mbi nëntëdhjetë (90) përfaqësues të autoriteteve për mbrojtjen e të dhënave personale në nivel rajonal, ndërkombëtar dhe botëror.

Raporti i Kosovës për vitin 2024 i Komisionit Evropian në vlerësimin e punës për Agjencinë për Informim dhe Privatësi ka theksuar se

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka punuar në mënyrë të pavarur dhe efikase.

Ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale janë në përputhje me GDPR dhe LED.

Agjencia ka miratuar aktet nënligjore dhe ka rritur kapacitetet e personelit.

Rritja e ndërgjegjësimit ka shënuar rritje të përgjegjësisë së institucioneve publike dhe private ndaj vendimeve të Agjencisë. /Zëri