PDK-ja i dërgon letër edhe Albulena Haxhiut për anëtarin e dytë në KQZ
Foto: Laura Hasani

PDK-ja i dërgon letër edhe Albulena Haxhiut për anëtarin e dytë në KQZ

Aktuale April 08, 2026 - 13:46

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar edhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në kërkesë theksohet se çështja e përbërjes së KQZ-së ka mbetur e papërfunduar gjatë mandatit të ish-presidentes, Vjosa Osmani.

Sipas PDK-së, përfaqësimi i saj me dy anëtarë në këtë institucion nuk është çështje interpretimi politik, por siç thuhet në njoftim, një e drejtë që rrjedh nga dispozitat kushtetuese.

Sipas njoftimit, në letrën e saj, PDK-ja ka theksuar rëndësinë e respektimit të praktikës së deritanishme institucionale, duke shtuar se kjo parti ka qenë e përfaqësuar me dy anëtarë në KQZ.

Ajo ka insistuar se me këtë veprim ruhet parimi i barazisë dhe balancës mes subjekteve politike.

“Duke iu referuar Nenit 139, paragrafit 4 të Kushtetutës së Kosovës, PDK-ja argumenton se shpërndarja e vendeve në KQZ duhet të bazohet në përfaqësimin e grupeve parlamentare në Kuvend. Në kushtet aktuale me katër grupe parlamentare, PDK-ja konsideron se secili grup duhet të ketë nga një përfaqësues në raundin e parë, ndërsa vendet e mbetura duhet të ndahen sipas madhësisë së grupeve, duke siguruar kështu përfaqësim proporcional”, thuhet në kërkesë.