Flet shqiptari Albon Rexhepi, tregon si ndihmoi NASA-n në rrugën drejt Hënës

Flet shqiptari Albon Rexhepi, tregon si ndihmoi NASA-n në rrugën drejt Hënës

Aktuale April 08, 2026 - 21:10

Që nga 1 prilli u nisën drejt një rrugëtimi jo të zakonshëm.

Pas më shumë se 50 vitesh, astronautët e ekuipazhit ARTEMIS 2 u nisën drejt hënës.

E pjesë e këtij projekti është edhe një shqiptar.

Albon Rexhepi nga Çegrani i Gostivarit, i cili udhëheqë kompaninë Dewerton Inc, që nga viti 2022 është duke punuar që i gjithë rrugëtimi të shkojë mirë.

“Çfarë roli luajnë produktet tona, ato i bëjnë masat se çfarë rrugëtimi do të marrë kapsula për rreth hënës dhe në cilën pjesë të oqeanit do të kthehet, se ata e përdorin atë më së shumti për atë dhe shkon vite në prodhimin e produkteve tona, pasi kuptohet se në pyetje janë jetët e astronautëve tonë. Ne mundohem që produktet të i bëjmë sa më precizë dhe NASA i përdor për rrugëtimin që merr kapsula”, tregon Rexhepi për Tëvë1.

Produktet e kompanisë së këtij shqiptari, do të mundësojnë që astronautët të kthehen shëndosh e mirë në Tokë.

“E kanë përdor produktin tonë gjatë fazës së kapsulës, produktet tona, tregojnë se në sa temperaturë kapsula mund të durojë, pasi kur del jashtë tokës është shumë ftohtë, dhe me produktet tona i bëjnë matjet që të sigurojnë që kapsula do të funksionojë si duhet”, thotë ai.

Për të gjithë ata të cilët kanë dyshime për udhëtimin drejt Hënës, i riu nga Gostivari ka një përgjigje.

“Edhe në Amerikë ka shumë njerëz që dyshojnë që ky projekti ARTMEIS 2, për të bërë një sqarim ARTMEIS2, është një rrugëtim për rreth hënës, dhe do të kthehen prapë astronautët pra nuk do të ndalën rreth hënës, ajo do të ndodhë më herët. Në këtë kanë investuar shumë njerëz dhe do të ishte shumë e rëndë të mos ishte reale”, shprehet Rexhepi.

Bashkëpunimi me NASA-n, për Rexhepin është një përvojë e pabesueshme.

“Personalisht ndihem shumë krenar, është një privilegj i madh në anglisht i thonë ‘surreal feeling’, dmth është pak e pabesueshme gjithë kjo pjesëmarrje jonë. Të marrësh edukim në vendet e shqiptarëve dhe të arrish lartë është një arritjet e mirë dhe një mezash për të gjithë shqiptarët tjerë që me mund dhe me punë mund të arrish ëndrrat e tua”, thotë ai.

Katër astronautët pritet që të kthehen rreth 10-11 prillit, dhe ulja pritet të bëhet në Oqeanin Paqësor. /Tëvë1