28 prilli vendimtar, marrëveshje apo krizë e re?
Foto: Laura Hasani

28 prilli vendimtar, marrëveshje apo krizë e re?

Aktuale April 09, 2026 - 14:54

Partitë politike kanë afat deri më 28 prill për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Në të kundërtën, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendi shkon në zgjedhje të reja që duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Analistët kanë shprehur qëndrime të ndryshme mbi zhvillimet e mundshme politike.

Analisti Azdren Shala u shpreh i pasigurt për epilogun, duke theksuar paqartësinë e qëndrimeve të partive.

“Për besë, unë kam dilema. Nuk jam i sigurt nëse do të shkojmë në zgjedhje, por as që nuk do të shkojmë. Po të kishim parti politike më të qëndrueshme në parime, do të ishte më e lehtë të analizoheshin hapat e tyre, por mënyra si operojnë këto parti, duke i ndryshuar qëndrimet çdo ditë, e bën të vështirë parashikimin”, tha Shala.

Ndërkohë, Korab Blakaj vlerësoi se Lëvizja Vetëvendosje, si forcë me rreth 51% të pushtetit, nuk ka interes të shkojë në zgjedhje të reja.

“Vullneti për të ruajtur pushtetin ekziston dhe është normale që një parti me këtë përqindje të mos rrezikojë zgjedhje të reja, pasi rezultati mund të mos përsëritet”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, analisti Zejnullah Jakupi theksoi se zgjedhjet nuk janë gjithmonë zgjidhje për krizën politike në vend.

“Në pamje të parë zgjedhjet duken si rruga më demokratike, por realiteti në Kosovë ka treguar se ato jo gjithmonë prodhojnë zgjidhje, shpesh duke krijuar të njëjtat raporte dhe duke e zgjatur krizën në një formë tjetër”, u shpreh Jakupi. /klankosova