Çështja e presidentit, Nagavci: Do të vazhdojmë me takime
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, është deklaruar për media para fillimit të seancës plenare.
Ajo ka folur përsëri për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se takimet për këtë do të vazhdojnë.
“Kryeministri sot ka një prezantim, është në Londër siç jeni në njohuri, ndërkohë që besoj që edhe gjatë fundjavës, por edhe shumë shpejt do të vazhdojmë me takime”, ka deklaruar Nagavci.
Nagavci ka folur edhe për marrëveshjen e Bordit të Paqes, e cila nuk është sjellë ende në Kuvend për ratifikim.
Nagavci beson se gjatë javës së ardhshme kjo marrëveshje do të diskutohet në komisionin përkatës dhe pastaj do të sillet në Kuvend për miratim.
“Besoj që gjatë javës së ardhshme, me sa e di Komisioni do ta shqyrtojë në fillim të javës së ardhshme dhe sapo të shqyrtohet në komisionin funksional, do të vijë në Kuvend dhe do ta votojmë”, shtoi Nagavci. /eo