Qeveria mban mbledhje elektronike, merr këto vendime
Foto: Laura Hasani

Qeveria mban mbledhje elektronike, merr këto vendime

Aktuale April 10, 2026 - 15:29

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e nëntë, e cila është zhvilluar në mënyrë elektronike, ku janë shqyrtuar dhe miratuar disa projektligje dhe vendime me rëndësi.

Në këtë mbledhje ekzekutivi ka miratuar projektligjin për energjinë, si dhe projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

Po ashtu, është miratuar edhe vendimi për ndryshimet në Tabelat 3.1 dhe 3.2 të Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026. Ky ndryshim ka për qëllim përmbushjen e obligimeve financiare dhe kontraktuale të mbetura nga viti paraprak.

Në kuadër të vendimeve financiare, Qeveria ka aprovuar edhe rregullimin kontabël të shpenzimeve buxhetore të realizuara gjatë periudhës së financimit të përkohshëm për tremujorin e parë të vitit 2026. Ky rregullim synon që këto shpenzime të pasqyrohen në përputhje me strukturën e re organizative të ministrive, sipas rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative. /Zëri