Hamza: Pa respektim të Kushtetutës dhe realitetit ekonomik, ligji për çmimet tavan nuk jep zgjidhje
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka folur në seancën e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, apo i njohur si Ligji për Çmimet Tavan.
Hamza ka theksuar nevojën për balancë mes mbështetjes së bizneseve dhe mbrojtjes së konsumatorëve gjatë diskutimit për Ligjin për Çmimet Tavan.
“Mirëpo si deputet, mendoj që është gabim që tentojnë disa ta ndajnë që ata që folin në favor të bizneseve dhe ata që folin në favor të konsumatorëve; ata që i atakojnë bizneset edhe ata që i mbrojnë konsumatorët. Është detyrë e jona që me kriju kushte për bizneset sepse nuk ka shtet të zhvilluar dhe të qëndrueshëm ekonomik pa biznese të zhvilluara dhe të qëndrueshme ekonomikisht. Njëkohësisht, është përgjegjësi e institucioneve me u kujdes për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe të drejtat e konsumatorit”, tha ai.
Ai paralajmëroi për rëndësinë e respektimit të Kushtetutës dhe kujdesin në miratimin e ligjeve.
“Duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk është e dëmshme, nuk është gabim, nuk është e turpshme ata që mbrojnë kushtetutën. E ata që kërkojnë mos me u shkelë kushtetuta. Është e dëmshme, është gabim me ba veprime që shkelet kushtetuta. Çdo veprim, edhe kur ka logjikë ekonomike, edhe nevojat ekonomike, duhet me u vendos brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese. Prandaj nuk kisha dashtë që në këtë legjislaturë ky Kuvend me aprovu ligje të cilat Gjykata Kushtetuese i shpall ligje që s’janë në harmoni dhe në përputhje me kushtetutën. Po folët për artikujt bazë, mbrojtjen e standardit të jetesës. Më se e nevojshme. Po mos shesim mjegull, të thojmë realitetin çka rregullon ky ligj. A përnjëmend t’iu thojmë na qytetarëve të Kosovës që sot Kuvendi i Kosovës e aprovoi këtë ligj edhe çmimi i vajit, i bukës, i kripës, i sheqerit do të zbritet?”, theksoi ai.
Sipas tij, rritja e kostos së prodhimit e bën të vështirë uljen e çmimeve të produkteve bazë.
“Nëse rritet kostoja e prodhimit të cilido prej këtyre produkteve, si ka mundësi me u ulë çmimi? Ne sot po shohim që po vazhdon rritja e çmimeve. Të dhënat e fundit statistikore thonë se inflacioni ka mbërri normën 6.7%. Nuk jemi kundër mbrojtjes së konsumatorëve qytetarë, po realisht duhet të jemi realë për shkak se po rritet kostoja e prodhimit të produktit, qoftë si rezultat i energjisë elektrike, qoftë si rezultat i kostos së punës, qoftë si rezultat i ngritjeve të tatimeve, qoftë si rezultat i ngritjeve të derivateve të naftës, është e pamundur me thanë që çmimi i produkteve bazë do të zvogëlohet. Na po flasim edhe kemi mundësi me pasë vetëm një mekanizëm në dorë që është fitimi apo marzha tregtare, diferenca në çmim. Dhe pyetja logjike është: e lamë mënjanë, u diskutua, cili është mekanizmi i kontrollit? Kush e kontrollon?”, shtoi ai./EO