Gërvalla: Agim Ramadani mbetet një emër i papërsëritshëm i kohës së tij
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në 27-vjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani, ka thënë se ai ka qenë emër i papërsëritshëm i kohës së tij.
“Sot, në 27-vjetorin e rënies heroike të tij në Betejën e Koshares në ballë të frontit çlirimtar, aty ku përgjithmonë u hoq guri famëkeq i kufirit, ai mbetet një emër i papërsëritshëm i një kohe që u jetësua nga guximi dhe bindja e pathyeshme se liria dhe drejtësia arrihen me sakrificë dhe mbrohen me dinjitet”, ka shkruar Gërvalla.
Gërvalla më tej ka thënë se beteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare ishte dhe mbetet beteja e krenarisë dhe lavdisë.
Ajo e quajti Ramadanin figurë të rrallë dhe shumëdimensionale që me vizion, vendosmëri dhe sakrificë e ktheu idealin e lirisë në realitet historik dhe la gjurmë të pashlyeshme në një prej periudhave më të ndritura të historisë sonë kombëtare.