PDK-ja thotë se Kurti s’po tregon seriozitet në bisedimet për presidentin
Foto: Laura Hasani

PDK-ja thotë se Kurti s’po tregon seriozitet në bisedimet për presidentin

Aktuale April 13, 2026 - 13:04

Partia Demokratike e Kosovës ia ka rikujtuar kryeministrit Kurti kushtin për të bashkëpunuar sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.

Jakup Nura nga ky subjekt politik tha se në një marrëveshje të mundshme, PDK-ja duhet ta propozojë kandidatin për president.

Sipas tij, është e dëmshme për Kosovën që LVV-ja ta ketë edhe postin e presidentit.

“PDK-ja i ka ofruar mundësinë e bashkëpunimit; seriozisht ia kemi ofruar opsionin tonë. Mendoj se kjo ka qenë jashtëzakonisht e nevojshme dhe e volitshme për pozitën e tanishme në të cilën gjendet Kosova, për arsye se tri pozitat kryesore në duart e një partie politike, e cila është tani në pushtet, mendoj se janë të dëmshme për Kosovën, por edhe për vetë LVV-në”, tha Nura për rtv21.

Po ashtu, Nura tha se kryeministri Kurti nuk ka qasje serioze ndaj PDK-së për vazhdimin e bisedimeve për çështjen e presidentit.

“Besoj se ditët në vijim do të jenë më intensive dhe do të ketë përpjekje për të arritur një koalicion me LDK-në. Por, për PDK-në, çdo ftesë që bën Kurti do të jetë sa për të thënë dhe sa për t’u dukur para popullit se kinse ka shprehur gatishmëri për t’iu ofruar PDK-së, por që PDK-ja nuk gjen formë bashkëpunimi. Për PDK-në, çdo përpjekje e tyre është vetëm farsë dhe nuk ka përpjekje serioze për të zgjidhur çështjen e presidentit.”, u shpreh Nura.