Kurti: Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia shërben si strehë për fshehjen e kriminelëve
Foto: Laura Hasani

Kurti: Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia shërben si strehë për fshehjen e kriminelëve

Aktuale April 14, 2026 - 17:58

Në fjalimin e tij në seancën solemne në shënim të Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, kryeministri Albin Kurti përmendi se numri i dënimeve mbetet ende i ulët dhe joproporcional me përmasat e mëdha dhe thellësinë e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se heshtja dhe stigma që rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar, siç u shpreh, që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje

“Kjo ditë është edhe thirrje për mbarë shoqërinë, që të mbështesë edhe gratë e burrat e tjerë të mbijetuar që vazhdojnë të përballen me paragjykime, në kërkim të të drejtave që atyre u takojnë. Heshtja dhe stigma që ende rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje”.

Kurti u shpreh se derisa Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, siç tha, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve.

“Të nderuara zonja dhe zotërinj, dhuna seksuale është përdorur sistematikisht nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Pas 23 vitesh pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021 u shënua një hap drejt drejtësisë me dënimin e parë të kriminelit të luftës, Zoran Vukotiq, për dhunën seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri. Viteve të fundit po rritet numri i gjykimeve dhe i dënimeve për këto krime lufte që nuk parashkruhen as nuk falen. Ndryshimet që i kemi bërë bashkë në Kodin Penal të Kosovës mundësojnë gjykimin në mungesë për krimet e luftës. Megjithatë, numri i dënimeve mbetet ende i ulët dhe joproporcional me përmasat e mëdha dhe thellësinë e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës. Këto krime nuk prekin vetëm të mbijetuarat dhe familjet e tyre, por lënë pasoja të thella që transmetohen si traumë e vazhdueshme ndërbrezore. Ndërkohë që Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimit. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, e Kuvendi i Serbisë pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krimet e luftës në Kosovë. Atje u organizua ekspozitë për njësitë e ushtrisë jugosllave dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe, komandantët më të lartë të të cilave janë dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë gjatë vitit 1999, duke mos u distancuar nga e kaluara e saj kriminale. Përkundër mungesës së refleksionit nga Serbia, përvoja e Republikës së Kosovës në adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës po shërben si shembull i rëndësishëm për vendet e tjera të prekura nga konflikti”, tha Kurti.