27 vjet nga eksodi masiv i shqiptarëve nga Kosova
Sot shënohet 27-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.
Ndërkohë përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.
Në mesin e tyre kishte fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar.
Në Kukës çdo 16 prill përkujtohet eksodi biblik i më shume se 500 mijë shqiptarëve të Kosovës të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre etnike e që gjetën strehën dhe mikpritjen e bujarisë së qytetarëve dhe kuksianëve.
E gjithë bota ktheu sytë kah Kosova teksa mediat publikonin përmes imazheve e historive personale që shfaqnin dhimbjen e vuajtjen e madhe të popullit.
Dhimbja edhe tek 27 vjet pas luftës është shumë e madhe për mijëra familje kosovare, veçse ndër imazhe që tregonin vuajtjen që përjetonin janë disa personazhe krejtësisht unike që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të qëndrojnë në memorien tonë kolektive.
Disa prej personazheve që u bënë simbol i mediave ndërkombëtare gjatë kohës së luftës në Kosovë, i patën rrëfyer historitë e tyre të dhimbshme të cilat lanë gjurmë në historinë e Kosovës.
Data 16 prill simbolizon karvanin më të madh të të shpërngulurve me zanafille Mitrovicën , Xërxën e Rahovecit dhe pikëmbërritjen në Kukës.
Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën kosovare. Kulla është 23.5m e gjatë dhe është e mbushur me foto të cilat paraqesin ngjarjet e asaj kohe. Kulla është një nga pikat më të vizituara turistike në Kukës. Gjatë datës 16 prill kulla është pika që vizitohet me shpesh. /Zëri