PRAK-u kërkon zbatim të plotë në praktikë të Ligji për sigurimet shëndetësore
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka përshëndetur miratimin e ligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm drejt reformimit të sistemit shëndetësor në vend.
Në një reagim publik, PRAK ka vlerësuar se ky ligj krijon bazën për ndërtimin e një mekanizmi më të qëndrueshëm të financimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, duke synuar përmirësimin e qasjes dhe mbulimit shëndetësor.
Megjithatë, PRAK ka theksuar se sfidat mbeten të shumta dhe kërkojnë angazhim të shtuar institucional në fazat e ardhshme.
Sipas PRAK-ut, një ndër prioritetet kryesore është miratimi dhe zbatimi i akteve nënligjore, të cilat do të mundësojnë funksionalizimin praktik të ligjit.
Po ashtu, organizata ka kërkuar forcimin e kapaciteteve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si dhe rritjen e mbulimit shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që do të ofrohen për qytetarët në kuadër të këtij sistemi.
“Rruga përpara është e gjatë dhe kërkon angazhim të madh institucional, veçanërisht në miratimin dhe zbatimin e akteve nënligjore, forcimin e kapaciteteve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si dhe rritjen e mbulimit shëndetësor dhe të cilësisë së shërbimeve që pritet të blihen për qytetarët. PRAK mbetet e përkushtuar të kontribuojë në këtë proces për një sistem shëndetësor më të drejtë, më efikas dhe më të qasshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.