Kurti: Qosja mbetet një nga intelektualët më të spikatur bashkëkohorë shqiptarë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e vlerësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të mendimit dhe kulturës shqiptare.
Në një mesazh ngushëllimi, Kurti ka theksuar se vepra e Qosjes do të ketë jetë më të gjatë se vetë koha e tij fizike, duke shtuar se me ndarjen e tij nga jeta nis një kapitull i ri i leximit dhe interpretimit të veprës së tij.
“Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj”, ka deklaruar Kurti, duke përmendur se nga studimet gjuhësore, kritika letrare, ditarët historikë e deri te romanet, trashëgimia e tij do të vazhdojë të studiohet dhe të rilexohet nga gjeneratat e ardhshme.
Kurti ka vlerësuar se është fat për një komb të ketë një autor që ka dokumentuar kohën e tij në mënyrë kaq të thellë dhe të gjithanshme, duke ndikuar në mendimin kulturor dhe shoqëror shqiptar.
Ai ka theksuar gjithashtu dimensionin shumëplanësh të veprës së Qosjes, duke e përshkruar si gjuhëtar në akademi, historian në gjuhë, shkrimtar në publik dhe mendimtar në shoqëri.
Sipas Kurtit, Qosja ka qarkulluar mes traditës së iluminizmit evropian dhe figurave historike shqiptare, duke ndikuar vazhdimisht në debatet intelektuale dhe kulturore.
Në mesazhin e tij, Kurti ka vlerësuar se Qosja mbetet një nga intelektualët më të spikatur bashkëkohorë shqiptarë, i cili, pavarësisht kritikave dhe polemikave, ka mbetur një figurë e paepur në jetën publike.
Rexhep Qosja ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë letrare dhe akademike që pritet të vazhdojë të ketë ndikim në studimet shqiptare.