Kryeziu-Hyseni: OKB-ja konfirmon diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Foto: Laura Hasani

Kryeziu-Hyseni: OKB-ja konfirmon diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Aktuale May 05, 2026 - 17:32

Ish-deputetja e Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, ka reaguar pas publikimit të raportit të Kombet e Bashkuara për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar atë si dëshmi të diskriminimit të vazhdueshëm institucional.

Ajo tha se raporti i Komitetit për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD) konfirmon shqetësimet që shqiptarët i kanë ngritur prej vitesh.

“Diskriminimi sistematik dhe i institucionalizuar i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilin e pata adresuar edhe vet si deputete në Kuvend të Kosovës, u publikua dje me rezolutë të OKB-së”, ka shkruar Kryeziu Hyseni.

Sipas saj, raporti evidenton një sërë problemesh, përfshirë gjuhën e urrejtjes, mungesën e përfaqësimit institucional dhe shkeljen e të drejtave themelore.

“Raporti i fundit i CERD konstaton gjetjet për të cilat shqiptarët flasin ndër vite – për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, mungesën e përfaqësimit në institucione, shkeljen e të drejtave gjuhësore dhe mbi të gjitha pasivizimin e adresave, si mohim i një të drejte themelore”, theksoi ajo.

Kryeziu Hyseni vlerësoi se arritja e këtij raporti është rezultat i një pune dhe lobimi të gjatë nga përfaqësuesit shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe institucionet përkatëse.

“Për të ardhë deri tek ky konstatim është punuar prej vitesh me një angazhim e lobim të madh nga delegacioni shqiptar”, u shpreh ajo.

Ajo falënderoi një sërë përfaqësuesish për kontributin e tyre, përfshirë Ardita Sinani, Shaip Kamberi, Ragmi Mustafi dhe Enkel Rexhepi.

Në reagimin e saj, ajo theksoi edhe rolin e Qeverisë së Kosovës në mbështetjen e këtij procesi.

“Asnjë nga këto nuk do të kishte qenë e mundur pa përkrahjen institucionale dhe financiare të Qeverisë Kurti”, deklaroi Kryeziu Hyseni, duke shtuar se Serbia, sipas saj, po përpiqet të bllokojë fondet për Luginën e Preshevës.

“Për ta pamundësu të vërtetën, e cila pavarësisht kësaj përpjekje të Serbisë, doli dhe u pranua si e tillë”, përfundoi ajo.