Ndryshimet në Komunën e Prishtinës, Shahini konfirmon shkarkimin nga Rama

Ndryshimet në Komunën e Prishtinës, Shahini konfirmon shkarkimin nga Rama

Aktuale May 05, 2026 - 17:49

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinë, Samir Shahini, ka bërë të ditur se i ka përfunduar mandati në këtë pozitë, pas një vendimi të kryetarit Përparim Rama.

Në një njoftim publik, Shahini ka thënë se largohet nga detyra me krenari për punën e bërë gjatë mandatit të tij, duke theksuar një sërë reformash dhe projektesh në fushën e arsimit.

“Me vendim të Kryetarit të Kryeqytetit, mandati im si Drejtor i Arsimit përfundon këtu”, ka deklaruar ai.

Marrëveshja me Ramën, PDK do të marrë drejtimin e 7 drejtorive në kryeqytet

Ai ka përmendur si arritje vendosjen e standardeve më të larta në mësimdhënie, zgjerimin e mësimit tërë ditor në disa shkolla, si dhe investime në infrastrukturën shkollore, përfshirë renovimin e 14 shkollave, hapjen e objektit të ri “7 Shtatori” dhe ndërtimin e një çerdheje në lagjen Dardania.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe është punuar edhe në digjitalizimin e procesit mësimor, ku janë shpërndarë mbi 300 tabela digjitale në shkolla, si dhe është avancuar bashkëpunimi me organizata dhe biznese përmes rreth 40 marrëveshjeve.

“Ndryshimi në arsim nuk vjen nga vendimet e një dite, por nga qëndrueshmëria në procese. Vazhdoni, mos e ndalni ritmin”, ka theksuar Shahini në mesazhin e tij të lamtumirës.

Ai ka falënderuar mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, prindërit dhe nxënësit për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij.