Gino Mulliqi merr edhe një mandat si zëvendëskryetar i qytetit Wylie në SHBA
Shqiptaro-amerikani Gino Mulliqi, ka marrë edhe një mandat tjetër trevjeçar në shërbim të qytetit të Wyliet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai u shpreh jashtëzakonisht mirënjohës e i përulur me kolegët e tij në këshill, të cilët thotë se ia besuan edhe një mandat për të shërbyer si zëvendëskryetar i qytetit (Mayor Pro Tem).
Në postimin falënderues, ai ka përmendur edhe rrugëtimin e tij deri në këtë pikë të karrierës, duke treguar po ashtu edhe për përjetimet e tij si 13 vjeçar gjatë luftës në Kosovë.
“Më kujtohet koha kur isha një djalë 13-vjeçar gjatë luftës në Kosovë. Kishte net të mbushura me frikë dhe pasiguri, net kur familjet nuk e dinin çfarë do të sillte e nesërmja apo nëse do të kishte fare një të nesërme. Atëherë nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se një ditë do të shkoja në Shtetet e Bashkuara si nxënës shkëmbimi në Oregon, do të zhvendosesha në New York për të qenë pranë familjes dhe për të përfunduar studimet, do të ndërtoja një karrierë në Verizon, do të njihja bashkëshorten time të mrekullueshme, do të rrisja fëmijë të mrekullueshëm, do të ndërtoja një biznes dhe përfundimisht do të kisha privilegjin të shërbeja në një detyrë publike në Wylie, Texas”.
“Prandaj gjithmonë do të besoj me gjithë zemër se ëndrra amerikane është gjallë dhe vazhdon të ekzistojë. Ky vend më dha mundësi që dikur nuk i mendoja të mundshme. Amerika më dha një shans. Wylie më dha një shtëpi”, deklaroi Mulliqi në këtë postim.
Ai falënderoi qytetarët e Wyliet për besimin, mbështetjen dhe besimin ndaj tij, teksa u premtoi se do të vazhdojë të punojë fort çdo ditë për këtë komunitet. /klankosova