Dhjetëra minatorë u ngujuan për disa orë në Stan Tërg, autoritetet nisin hetimet
Tetëmbëdhjetë minatorët ngelën të ngujuar për rreth 12 orë në një nga minierat më të mëdha të plumbit dhe zinkut në Kosovë, në Stan Tërg afër Mitrovicës të enjten si pasojë e ndërprerjes së rrymës, duke i nxitur autoritetet të nisin hetime për të kuptuar shkaktarin.
Minatorët kishin ngecur qindra metra nën tokë prej orës 01:30 deri rreth orës 11:00 të enjten, njoftoi gjiganti metalurgjik “Trepça”.
Më vonë, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha në Facebook se të gjithë minatorët e ngujuar dolën sigurt dhe se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Shkaqet e avarisë janë duke u hetuar nga institucionet përkatëse”, shkroi ajo.
Izet Ibrahimi, doktori i shkencave teknike, tha për Radion Evropa e Lirë se infrastruktura në minierën e Stan Tërgut është tejet e vjetruar dhe kërkon investime urgjente në pjesët vitale, posaçërisht në rrjetin e energjisë elektrike.
Ibrahimi, profesor në Fakultetin e Gjeoshkencave në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, tha se institucionet duhet “urgjentisht” të investojnë në rrjetin e energjisë elektrike.
Sipas tij, energjia nuk është vetëm çështje operative, por para së gjithash çështje e sigurisë.
“Paramendoni sikur të ndodhë një ndërprerje e energjisë kur minatorët janë në horizontin e nëntë, apo kur janë në ashensor duke u lëshuar në atë horizont – kjo është e rrezikshme”, tha ai.
Çfarë ndodhi?
Ndërmarrja tha se në momentin e ndërprerjes së rrymës në minierë ishin 47 punëtorë, teksa 29 prej tyre arritën të largoheshin dhe të dilnin mbi sipërfaqen e tokës.
“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion”, u tha në njoftim.
Ndërmarrja tha se punëtorët e bllokuar në Stan Tërg – që gjendet afër Mitrovicës – nuk pësuan lëndime, teksa ekipet po punonin për rikthimin e furnizimit të energjisë elektrike.
Gani Osmani, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës’, i tha REL-it se ekipi i shpëtimit ishte në gjendje gatishmërie.
“Jemi duke komunikuar me minatorët, gjendja e tyre është stabile. Ekipi është gati për reagim apo për t’iu dërguar ushqim, por pritet që shpejt të rregullohet problemi me energji elektrike”, deklaroi më herët ai.
Ekipet e “Trepçës” dhe Kompanisë për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), punuan për ta ndrequr problemin në mënyrë që minatorët të dilnin më ashensorë.
Edhe në të kaluarën, në minierat e “Trepçës” ishin ngujuar minatorë, për shkak të problemeve me energji elektrike, por edhe telasheve të tjera.
Për shembull, më 2023 për shkak të një defekti të energjisë elektrike në një ashensor, disa minatorë kishin mbetur qindra metra nën tokë për disa orë.
Kompleksi metalurgjik “Trepça” është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
Sindikatat e minatorëve shpesh janë ankuar se minatorët punojnë pa mjete adekuate pune dhe në kushte të rrezikshme.