IKSHPK: 17 raste me fruth në Kosovë brenda një muaji, të gjithë të pavaksinuar
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 maj 2026 në Kosovë janë konfirmuar 17 raste me fruth.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me gjashtë raste, pasuar nga Prishtina me katër raste dhe Kaçaniku me tri raste. Nga një rast është raportuar në Lipjan, Fushë-Kosovë, Gjilan dhe Shtime.
Instituti thekson se të gjitha rastet e konfirmuara kanë qenë te persona të pavaksinuar me vaksinën MMR kundër fruthit, shytave dhe rubellës, ndërsa të gjithë pacientët kanë kërkuar trajtim spitalor.
IKSHPK-ja ka paralajmëruar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe ka apeluar tek prindërit që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe të kryejnë vaksinimin në qendrat e mjekësisë familjare.
Po ashtu, qytetarëve u është rekomanduar të shmangin kontaktet me persona që shfaqin simptoma si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë, ndërsa rastet e dyshimta duhet të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.
IKSHPK-ja ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po monitoron situatën epidemiologjike dhe po zbaton masa konkrete në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinim në komunitet.
Instituti rikujton se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /Zëri