“Po” apo “Jo” për Berishën? Demokratët vendosin sot për kreun e PD-së
Këtë të shtunë, 23 maj, demokratët u drejtohen kutive të votimit për të marrë pjesë në referendumin për konfirmimin ose jo të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.
Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00. Demokratët do të kenë mundësinë të votojnë deri në mbrëmje në të gjitha degët e Partisë Demokratike në rrethe.
Këtë vit, ndryshe nga proceset e fundit zgjedhore, votat do të numërohen nëpër degë dhe jo në selinë qendrore.
Kujtojmë se përballë Berishës nuk u pranua asnjë kandidat, ndërsa ai u legjitimua si emri i vetëm në zgjedhjet për drejtuesin e ri të partisë për 4 vitet e ardhshme.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale i tha “Jo” kandidimit të mjekes Mereme Sela dhe kandidatit Vladimir Mulaj, me argumentin se nuk plotësonin kriterin e të qenit një “figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik” dhe se u mungon “eksperienca drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal”.
Në shqyrtim nuk u mor as dokumentacioni (qoftë fizikisht apo përmes postës elektronike) për Evi Kokalarin, Alesia Balliun dhe Ervin Salianjin, me justifikimin se të tre janë vetëpërjashtuar.
Ndërkohë, në selinë blu ka nisur puna edhe për ndryshimet në statut. Brenda 25 majit drafti do t’i paraqitet Kryesisë për miratim, për t’u ratifikuar më pas nga vota e anëtarësisë në Kuvendin Kombëtar të 30 majit.
Siç mund ta shihni në videot e alternuara në tekst, ka nisur procesi i votimit në Lezhë, Shkodër, Lushnje, Fier e Vlorë, ndërsa pak më me vonesë startoi votimi në degën e PD-së në Gjirokastër…
Në degën e Fierit janë 1 750 anëtarë në listë aktive, ndërsa pjesëmarrja e pritshme në votime llogaritet rreth 70%. Në Mallakastër, dega numëron 600 anëtarë dhe pritet të votojë mbi 60% e anëtarësisë.
Në Patos, lista përmban 620 anëtarë, ndërsa pjesëmarrja e pritshme është rreth 60%. Ndërkohë, në Rroskovec, dega ka 710 anëtarë në listë dhe pritet pjesëmarrje mbi 60%.
Edhe në Lushnje procesi pritet të jetë aktiv. Lista e anëtarësisë përfshin 2 500 anëtarë, ndërsa pjesëmarrja në votime pritet të kalojë 55%. Procesi i votimit ka nisur normalisht edhe në degën e Divjakës ku pritet të votojnë 600 anëtarë
Sipas të dhënave nga strukturat lokale të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, pjesëmarrja pritet të jetë e konsiderueshme, ndërsa numri i anëtarëve aktivë mbetet i lartë në disa degë të rëndësishme të qarkut.
Vlora – Anëtarë me të drejtë vote: 1600
Himara – Anëtarë me të drejtë vote: 320
Selenica – Anëtarë me të drejtë vote: 500
Anëtarë dhe struktura të partisë i janë drejtuar dy qendrave të votimit, pranë selisë së PD-së dega Shkodër dhe në qendër të Bërdicës, ku procesi po zhvillohet sipas parimit “një anëtar, një votë”. Sipas të dhënave paraprake, pritet që rreth 2 mijë anëtarë të marrin pjesë në këtë proces, duke reflektuar interesin dhe angazhimin e lartë të bazës demokrate në këtë vendimmarrje të rëndësishme organizative./tvklan