OVL UÇK-ja Prokurorisë Speciale: Etiketimi i Clarkut dhe Rubinit si të njëanshëm ju zhysin në armiqësi politike
OVL UÇK-ja ka reaguar ashpër pas komenteve të Prokurorisë lidhur me disa nga dëshmitarët e mbrojtjes së krerëve të UÇK-së.
Në reagim thuhet se etiketimi i figurave si gjeneral Wesley Clark dhe James Rubin si të njëanshëm ose të pabesueshëm, e nxjerr Prokurorinë nga argumentimi ligjor dhe e zhyt në armiqësi politike, madje edhe në absurditet profesional.
“Këta dëshmitarë nuk trilluan histori. Nuk i shërbyen asnjë agjende personale. Ajo çfarë deklaruan është ajo që pa e gjithë bota: UÇK-ja zhvilloi luftë të drejtë dhe të domosdoshme kundër shtypjes jugosllave, përkrah një aleance euroatlantike që e njihte dallimin mes çlirimit dhe agresionit. Të sulmosh ata që i qëndruan pranë Kosovës në orën e saj vendimtare, do të thotë të sulmosh vetë historinë që e bëri të mundur lirinë”, thuhet në reagim.